Masakër në Nigeri: Ushtria bombardon tregun e mbushur me njerëz, dyshohet për mbi 200 të vdekur!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.04.2026, 20:52

Një ngjarje tragjike është raportuar në verilindje të Nigerisë, ku të paktën 200 persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi avionë ushtarakë goditën një treg fshati në shtetin Yobe, gjatë një operacioni kundër militantëve islamistë.

Sipas burimeve lokale dhe banorëve të zonës, sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës pranë tregut javor të Jilli, në kufirin mes Yobe dhe Borno, rajon që prej vitesh konsiderohet epiqendra e kryengritjes së Boko Haram.

Këshilltari lokal Lawan Zanna Nur Geidam e përshkroi ngjarjen si “shkatërrimtare”, duke deklaruar se numri i viktimave mund të ketë kaluar 200, ndërsa shumë të plagosur janë transportuar drejt spitaleve në Yobe dhe Borno. Edhe disa banorë të tjerë dhe përfaqësues të agjencive humanitare kanë konfirmuar përmasat e rënda të incidentit.

Forcat ajrore nigeriane njoftuan se kishin kryer sulme në aksin Jilli, duke pretenduar se objektivi ishin militantët e Boko Haram. Pas raportimeve për viktima civile, ushtria bëri të ditur se ka aktivizuar një njësi të posaçme hetimore për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet për dëme ndaj civilëve.

Sipas autoriteteve të Yobe, sulmi është kryer pranë zonës së tregut në momentin kur aty ndodheshin tregtarë dhe blerës të shumtë. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave në Yobe ka nisur ndërhyrjen në terren dhe po mbledh të dhënat paraprake mbi numrin e viktimave dhe të plagosurve.

Rajoni verilindor i Nigerisë vazhdon të përballet prej vitesh me kryengritjen e grupeve xhihadiste, konflikt që ka shkaktuar mijëra viktima dhe ka zhvendosur miliona banorë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit