E rëndë në Vlorë: Ra nga ballkoni i pallatit, ndërron jetë në spital fëmija 3-vjeçar

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 12.04.2026, 19:36

Një ngjarje tragjike është shënuar mbrëmjen e sotme në zonën e Skelës, në Vlorë, ku një fëmijë 3-vjeçar ka rënë nga ballkoni i një pallati shumëkatësh, paraprakisht dyshohet nga kati i katërt, dhe për pasojë ka humbur jetën.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e urgjencës, të cilat e kanë transportuar të miturin me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës.

Sipas burimeve mjekësore, fëmija ka mbërritur në gjendje tepër të rëndë, me dëmtime të shumta të shkaktuara nga rënia. Pavarësisht përpjekjeve maksimale të bluzave të bardha për ta mbajtur në jetë, i mituri nuk ka mundur të mbijetojë.

Nga informacionet paraprake dyshohet se rënia ka qenë aksidentale, ndërsa vogëlushi mësohet se ka rënë nga ballkoni i apartamentit teksa ishte duke luajtur.

Ndërkohë, efektivët e policisë ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Po mblidhen dëshmi nga familjarët dhe banorët e zonës për të hedhur dritë mbi incidentin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit