Këto pamje vijnë nga Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, ku besimtarët ortodoksë kremtuan Pashkët me meshën e shenjtë të ngjalljes së Krishtit. Mijëra besimtarë u mblodhën në mesnatën mes 11 dhe 12 prillit, duke ndezur qirinj dhe duke marrë pjesë në ceremoninë solemne të drejtuar nga Kryepeshkopi Joan.
Gjatë meshës, atmosfera u shoqërua me lutje, kambana dhe mesazhe paqeje e shprese, ndërsa Kryepeshkopi Joan theksoi sfidat shpirtërore të kohës dhe nevojën për reflektim, dashuri dhe paqe të brendshme. Ai u bëri thirrje besimtarëve që të jenë paqebërës në një shoqëri që, sipas tij, po përballet me indiferencë dhe zbrazëti shpirtërore.
Pas përfundimit të ceremonisë, besimtarët u larguan me qirinj të ndezur në duar, duke marrë me vete simbolin e dritës së Pashkës për në familjet e tyre. Festa u shoqërua edhe me traditat e zakonshme si urimi “Krishti u ngjall” dhe përplasja e vezëve të kuqe, si simbol i jetës dhe ringjalljes.