Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtojnë sot festën e shenjtë të Pashkës, duke marrë pjesë në meshën e ringjalljes së Krishtit në kisha dhe katedrale. Në Tiranë, ceremonia u zhvillua në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” nën drejtimin e Kryepeshkopit Joan, ku besimtarët ndezën qirinj dhe morën “dritën e shenjtë” për ta çuar në familjet e tyre si simbol shprese, paqeje dhe jete të re.
Pashka ortodokse festohet me një sërë ritualesh fetare dhe familjare. Pas meshës së mesnatës, familjet mblidhen rreth tryezës festive, ku nuk mungojnë vezët e kuqe simbol i gjakut dhe ringjalljes së Krishtit si dhe ushqime tradicionale si mishi i qengjit, kulaçi apo gatime të tjera të përgatitura pas përfundimit të Kreshmës. Një zakon i përhapur është përplasja e vezëve, ku secili përpiqet të thyejë vezën e tjetrit për fat të mbarë.
Festimet vijojnë gjatë gjithë ditës së diel, me vizita familjare dhe urime për njëri-tjetrin. Pashka shënon kalimin nga vuajtja në shpresë, duke përforcuar lidhjet shpirtërore dhe familjare. Për besimtarët, kjo festë mbetet një nga momentet më të rëndësishme të vitit, e cila sjell mesazhe paqeje, dashurie dhe ringjalljeje.