Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar së fundmi Izraeli do të vazhdojë operacionet ushtarake kundër Iranit dhe aleatëve të tij rajonalë, ndërsa në Islamabad kanë nisur bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes mes SHBA-së dhe Iranit.
Në një postim të publikuar në platformën X, Netanyahu shkroi:
“Izraeli nën drejtimin tim do të vazhdojë të luftojë regjimin terrorist të Iranit dhe aleatët e tij.”
Deklarata e tij vjen në të njëjtën ditë kur në Pakistan kanë nisur negociatat direkte mes Uashingtonit dhe Teheranit, të cilat konsiderohen si kontakti më i lartë diplomatik mes dy vendeve që nga viti 1979.
Ndërkohë, armëpushimi dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit është vënë në pikëpyetje këtë javë, pasi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë vijuar sulmet ndaj objektivave të lidhura me Hezbollahun në Liban.
Sipas raportimeve, IDF ka goditur mbi 200 objektiva në 24 orët e fundit dhe ka sqaruar se sulmet në Liban nuk lidhen me armëpushimin aktual mes SHBA-së dhe Iranit.
Nga ana tjetër, media shtetërore iraniane IRNA raporton se një nga parakushtet e Teheranit në bisedimet me SHBA-në është ulja e sulmeve izraelite ndaj Hezbollahut në Liban.
Deri tani, Uashingtoni nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi këto kushte.
Zhvillimet po ndiqen me vëmendje të lartë ndërkombëtare, pasi çdo përshkallëzim në Liban mund të ndikojë drejtpërdrejt në vijimësinë e negociatave të paqes që po zhvillohen në Pakistan.