Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Irani po “humbet rëndë” në konfliktin e vazhdueshëm, ndërsa në Islamabad kanë nisur bisedimet diplomatike mes palëve për uljen e tensioneve.
Në një postim të gjatë në platformën e tij Truth Social, Trump sulmoi mediat që, sipas tij, po paraqesin një narrativë të gabuar mbi zhvillimet në terren. “Lajmet e rreme duan të thonë se Irani po fiton, kur në fakt të gjithë e dinë se ata po humbasin dhe po humbasin rëndë”, shkroi ai.
Presidenti amerikan përsëriti pretendimet e administratës së tij se kapacitetet ushtarake të Iranit janë dëmtuar rëndë, duke përfshirë flotën detare, mbrojtjen kundërajrore, radarët, si dhe fabrikat e raketave dhe dronëve. Ai shtoi se SHBA ka nisur “procesin e pastrimit” të Ngushticës së Hormuzit, duke e cilësuar këtë si një veprim “në favor të vendeve në mbarë botën”, mes tyre Kina, Japonia, Franca dhe Gjermania.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike për tregtinë globale të naftës, pasi një pjesë e madhe e eksporteve botërore kalon përmes saj. Deklarata e Trump vjen në një moment kritik, teksa luftanijet amerikane kanë kaluar për herë të parë në këtë korridor detar që prej nisjes së konfliktit, pa u raportuar incidente të drejtpërdrejta.
Bisedimet në Islamabad po ndiqen me vëmendje të lartë nga tregjet ndërkombëtare dhe diplomacia globale, pasi çdo zhvillim në Hormuz mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet e energjisë dhe sigurinë rajonale.