Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen me armë zjarri të 41-vjeçarit Artur Çangu, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Viron, në zonën e Niklës, Fushë-Krujë. Si autor i dyshuar identifikohet Eduart Afmataj.
Sipas të dhënave paraprake, mes viktimës dhe autorit dyshohet se kishte konflikte të vazhdueshme prej rreth dy vitesh, të lidhura kryesisht me çështje pronësie.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur pasi Çangu kishte shkuar në banesën e prindërve të tij dhe kishte parkuar automjetin pranë saj. Ky veprim ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të Afmatajt, i cili ka dalë nga shtëpia dhe ka nisur një debat verbal, duke pretenduar se makina i bllokonte kalimin.
Përplasja mes tyre ka degraduar në konflikt fizik dhe, në një moment, autori i dyshuar ka marrë një armë gjahu tip “çifte”, me të cilën ka qëlluar ndaj 41-vjeçarit, duke e lënë të pajetë në vendngjarje.
Mësohet gjithashtu se Afmataj ka lidhje familjare me viktimën, pasi është dhëndër te kushërinjtë e tij. Një tjetër pistë hetimi lidhet edhe me një konflikt të mëhershëm mes djemve të viktimës dhe autorit të dyshuar, sërish për çështje pronësie.
Pas kryerjes së krimit, Afmataj ka njoftuar vetë policinë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u zhdukur pa lënë gjurmë.
Ndërkohë, forcat e policisë kanë zhvilluar kontrolle në zonë dhe në disa vende të dyshuara, por deri tani nuk kanë arritur ta lokalizojnë apo arrestojnë autorin e dyshuar.