Një operacion i zhvilluar në qytetin Pereira në Kolumbi ka çuar në prangosjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I arrestuari është Florind Rama, i njohur edhe me emrin Florin Terziu, për të cilin ishte lëshuar një njoftim “kod i kuq” nga Interpol.
Ai kërkohej nga autoritetet evropiane për përfshirje të dyshuar në një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Spanjë në vitin 2022.
Sipas të dhënave, Rama u lokalizua në një apartament në zonën Pinares, ku gjatë arrestimit iu komunikuan të drejtat dhe akuzat. Ai deklaroi se nuk kishte avokat dhe nuk kërkonte përfaqësim ligjor, por pranoi të kontaktonte një familjar.
Në momentin e ndalimit, tentoi të paraqitej si shtetas gjerman, por pa sukses, pasi autoritetet kishin identifikuar saktë të dhënat e tij.
Hetimet tregojnë se ai kishte përdorur disa dokumente identifikimi për të lëvizur në vende të ndryshme, përfshirë shtete të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit, duke arritur për një kohë të shmangë autoritetet.
Autoritetet dyshojnë se ai ka lidhje me rrjete kriminale që veprojnë në Costa del Sol, një zonë e njohur për aktivitetet e trafikut të drogës. Gjithashtu, dyshohet për kontakte me grupe kriminale me origjinë ballkanike dhe shtrirje në disa vende evropiane, ndërsa hetimet po shqyrtojnë edhe lidhje të mundshme në Amerikën Latine.
Ngjarja për të cilën ai kërkohej lidhet me vrasjen e një shtetasi serb në Marbella më 30 qershor 2022, ku viktima u gjet me shenja torture dhe plagë nga arma e zjarrit.
Sipas dokumenteve gjyqësore, viktima kishte qenë e përfshirë në rrjete të trafikut të drogës dhe kishte bashkëpunuar me autoritetet gjermane si informator, duke e bërë një figurë kyçe në këto struktura.
Urdhër-arrestet për këtë çështje janë lëshuar në dy faza, gjatë viteve 2022 dhe 2023.