Një muaj nën dhe, por dhimbja mbetet po aq e freskët. Vetëvrasja e 25-vjeçares Xhuana Nikolli ka tronditur opinionin publik, ndërsa drejtësia ende duket e largët. E reja i dha fund jetës në banesën e saj në Tiranë, duke lënë pas një letër prekëse dhe një histori që ngre pikëpyetje të forta mbi atë që e çoi drejt aktit fatal.
Edhe pse autoritetet kanë shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, Eraldo Fizi, një muaj pas ngjarjes nuk ka asnjë gjurmë prej tij. Dyshohet se i riu ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj Xhuanës, deri në pikën që ajo nuk pa më rrugëdalje. Shenjat e dhunës të konstatuara në trupin e saj dhe dëshmia e familjarëve forcojnë dyshimet për një histori të errët që mund të ketë përfunduar në tragjedi.
Ndërsa familja kërkon drejtësi për vajzën e tyre, autori i dyshuar vijon të jetë i lirë. Policia e drejtuar nga Ilir Proda nuk arriti të bie në gjurmët e Eraldo Fizit, teksa pritet që policët e drejtuar nga drejtori i ri, Skënder Hita të lokalizojnë dhe të arrestojnë shkaktarin e vrasjes së Xhuanës që shpirti i saj të prehet në paqe!
Një muaj pas humbjes së Xhuana Nikollit, pyetjet mbeten pa përgjigje dhe plagët të hapura, ndërsa heshtja e mungesës së drejtësisë rëndon edhe më shumë mbi një histori që nuk duhet të harrohet.