Misioni Artemis II është përshëndetur nga NASA si një sukses i jashtëzakonshëm dhe një hap historik në eksplorimin hapësinor. Nga qendra e kontrollit në Houston, drejtuesit e agjencisë e cilësuan këtë arritje si një “dhuratë për botën”, duke theksuar se bashkëpunimi dhe përkushtimi i qindra specialistëve mundësuan tejkalimin e çdo pritshmërie dhe realizimin e një misioni të suksesshëm rreth Hënës.
Sipas zyrtarëve të NASA-s, një nga arritjet më të mëdha të Artemis II është fakti se janë përmbushur objektiva që nuk u arritën as gjatë programit historik Apollo. Duke përfituar nga dekada eksperiencë dhe zhvillimet teknologjike, ekipet arritën të mbledhin të dhëna të rëndësishme, veçanërisht mbi performancën e mburojës termike të kapsulës Orion, duke krijuar një bazë më të fortë për misionet e ardhshme.
Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur te hapat e radhës të programit Artemis. NASA ka bërë të ditur se misioni i ardhshëm pritet të nisë vitin e ardhshëm, duke u mbështetur në mësimet e nxjerra nga Artemis II. Zyrtarët theksojnë se ky është vetëm fillimi i një epoke të re në eksplorimin njerëzor të hapësirës.