Besimtarët ortodoksë në Tiranë dhe në mbarë vendin, kanë kremtuar mbrëmjen e sotme të Premten e Zezë, një nga ditët më të rëndësishme dhe më të dhimbshme të kalendarit fetar, pak ditë përpara festës së Pashkës ortodokse.
Në kryeqytet, qindra besimtarë morën pjesë në ceremoninë solemne të Epitafit, e zhvilluar në Katedralen Katedralja Ortodokse “Ngjallja e Krishtit”, nën udhëheqjen e Kryepeshkopi Joan. Pas përfundimit të riteve fetare, epitafi, i shoqëruar nga besimtarët, përshkoi rrugët përreth katedrales në një atmosferë lutjeje, heshtjeje dhe përulësie.
E Premtja e Zezë, e njohur edhe si E Premtja e Madhe, përkujton vuajtjet, kryqëzimin dhe vdekjen e Jezu Krishtit, duke simbolizuar flijimin dhe sakrificën e tij për shpëtimin e njerëzimit. Për besimtarët e krishterë, kjo është një nga ditët më të shenjta dhe më të ngarkuara emocionalisht të Javës së Madhe.
Kremtime të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit, ku besimtarët morën pjesë në ritet fetare dhe në procesionin e epitafit nëpër rrugët e qytetit.
Ceremonitë pritet të vijojnë deri në natën e Pashkës, kur besimtarët ortodoksë do të kremtojnë Ngjalljen e Krishtit, një nga festat më të rëndësishme të besimit të tyre.
