Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Niklës, në Fushë-Krujë, ku një konflikt mes familjarësh ka përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së një personi.
Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se pas një sherri autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të kunatit të tij, shtetasit me iniciale A.Ç., i cili nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Burime paraprake bëjnë me dije se në sallën operative të Policisë së Krujës ka mbërritur një telefonatë që njoftonte për konfliktin dhe të shtënat me çifte në një fshat të kësaj zone.
Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje, ndërsa autori i dyshuar është identifikuar. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e zonës dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Hetuesit po verifikojnë shkaqet e konfliktit, ndërsa dyshimet e para flasin për një përplasje me motive familjare që ka degraduar deri në përdorimin e armës.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.