Një vjedhje e pazakontë është regjistruar mëngjesin e sotëm në një zonë të kryeqytetit, duke nxjerrë në pah një tjetër formë të kriminalitetit të vogël që po shqetëson qytetarët.
Sipas pamjeve filmike të siguruara nga redaksia, një burrë shihet teksa hyn në hyrjen e një pallati dhe, pa u penguar nga askush, merr një biçikletë fitnesi që pronarët e kishin lënë pranë derës së apartamentit. I gjithë veprimi ndodh në pak minuta, çka tregon një veprim të menduar dhe mungesë frike nga pasojat.
Rasti vjen në një kohë kur vjedhjet e mjeteve të vogla, si biçikleta, skuterë elektrikë dhe tashmë edhe pajisje fitnesi, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.
Këto incidente po kthehen në një fenomen shqetësues për banorët, të cilët shpesh ndihen të pasigurt edhe brenda ambienteve të përbashkëta të pallateve.