Një shtetas shqiptar është vënë në pranga në Kolumbi, pasi kërkohej nga autoritetet evropiane për akuza të rënda si rrëmbim, torturë dhe vrasje në Marbella të Spanjës.
Ai u gjurmua larg zonës ku dyshohet se kishte kryer krimin. Në qytetin Pereira, forcat policore kolumbiane arrestuan shqiptarin e shpallur në kërkim ndërkombëtar me kod të kuq nga Interpoli, në kuadër të një operacioni të përbashkët me agjenci të huaja.
I ndaluari është identifikuar si Florind Rama, i dyshuar për përfshirje në një ngjarje të ndodhur në vitin 2022 në Marbella. Sipas hetimeve, ai lidhet me një rast që përfshin rrëmbim, torturë dhe vrasje.
Kapja e tij u bë e mundur falë bashkëpunimit mes Policisë Metropolitane të Pereira-s, Europolit dhe autoriteteve spanjolle. Pas hetimeve dhe ndjekjes së lëvizjeve të tij, u konstatua se ai ndodhej në qytet, ku dyshohet se përpiqej të qëndronte i fshehur.
Drejtori i policisë, William Rincón, bëri të ditur se i arrestuari dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti kriminal me origjinë shqiptare që operon në Evropë. Brenda kësaj strukture, ai mendohet të ketë pasur rol në aktivitetet e armatosura, të lidhura me tortura dhe vrasje me pagesë.
Sipas raportimeve nga Spanja, viktima e rastit ishte mbajtur peng, ishte torturuar dhe më pas ishte vrarë, çka çoi në shpalljen e tij në kërkim ndërkombëtar dhe aktivizimin e bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë verifikimet për lidhje të mundshme të Ramës me rrjete të trafikut të drogës në rajon, duke analizuar lëvizjet, kontaktet dhe aktivitetet e tij në Pereira dhe zona të tjera.
Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit “Tripoli”, një hetim i gjerë që synon goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar ndërkombëtar, të përfshirë në disa lloje aktivitetesh kriminale në vende të ndryshme.