Vrau efektivin e “Shqiponjave” në Fier, Apeli shpëton nga burgimi i përjetshëm Azgan Mërnicën

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 09.04.2026, 23:29

Gjykata e Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm në Tiranë ka ndryshuar vendimin ndaj Azgan Mërnicës, duke e dënuar me 35 vite burg për vrasjen e efektivit të forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia.

Me këtë vendim, Apeli ka rrëzuar dënimin e mëparshëm me burgim të përjetshëm, që ishte dhënë nga Gjykata e Fierit, duke i ulur ndjeshëm masën e dënimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Fierit.

Sipas dosjes hetimore, konflikti nisi pasi efektivi i policisë i kishte tërhequr vëmendjen Mërnicës për mënyrën e rrezikshme të drejtimit të automjetit, pasi ky i fundit kishte hyrë me shpejtësi në një kthesë pa kontrolluar rrugën.

Pas debatit verbal, situata degradoi në tragjedi.

Sipas akuzës, Mërnica ka zbritur nga automjeti, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar ndaj 28-vjeçarit, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Efektivi Novruz Cenalia kishte rreth tre vite në shërbim me uniformën e forcave “Shqiponja”, ndërsa vrasja e tij shkaktoi reagim të fortë në opinionin publik.

Pas ngjarjes, autori u largua dhe qëndroi në arrati për rreth 48 orë, deri sa u vetëdorëzua pas negociatave të policisë me familjarët e tij.

Vendimi i Apelit për uljen e dënimit pritet të ngjallë sërish debat dhe reagime, për shkak të ndjeshmërisë së lartë që pati kjo çështje në publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit