Sipas një sondazhi të publikuar nga media prestigjioze spanjolle El País, qytetarët në Spanjë e shohin presidentin amerikan Donald Trump si liderin botëror që përbën kërcënimin më të madh për paqen në botë.
Plot 81% e të anketuarve e konsiderojnë Trump një rrezik serioz për stabilitetin global, duke e renditur përpara presidentit rus Vladimir Putin me 79.2% dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu me 71.2%.
Më pas në listë vijnë lideri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei me 62.9%, lideri i Koresë së Veriut Kim Jong Un me 62.2%, si dhe presidenti kinez Xi Jinping me 49.3%.
Sondazhi tregon gjithashtu një shqetësim të madh të opinionit publik spanjoll për zhvillimet gjeopolitike. 75% e të pyeturve kërkojnë më shumë presion ndërkombëtar për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez, ndërsa shumica shprehen skeptikë ndaj vazhdimit të sulmeve në Iran.
Po ashtu, 70% besojnë se brenda 12 muajve të ardhshëm mund të ndodhë një zhvendosje masive e palestinezëve drejt vendeve fqinje, ndërsa 80% druhen se lufta me Iranin mund të shkaktojë krizë ekonomike globale.
Në Spanjë, debati është bërë edhe më i fortë pas qëndrimit kritik të qeverisë ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, me Madridin që ka shtuar kritikat ndaj SHBA-së dhe Izraelit.