“Ishte vapë, mora shtizën për ta trembur”, Prokuroria në Ankona: Vrasja e shqiptarit e qëllimshme, jo vetëmbrojtje

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.04.2026, 16:52

Gjykata e Apelit në Ankona po shqyrton ankimin e Prokurorisë ndaj Fatah Melloul, i cili në shkallën e parë është dënuar me 18 vite burg për vrasjen e shqiptarit Klajdi Bitri, krim i ndodhur rreth tre vite më parë.

Në seancën e sotme, 9 prill, prokurori theksoi se ngjarja nuk përbën vetëmbrojtje, por një vrasje të qëllimshme që ndodhi pas një konflikti për trafikun.

Sipas mediave italiane, Prokurori i Përgjithshëm Roberto Rossi paraqiti konkluzionet përfundimtare në procesin që lidhet me ngjarjen e 27 gushtit 2023 në Sirolo, në Via Cilea. Pas një debati në rrugë, Melloul, 29 vjeç, qëlloi për vdekje 23-vjeçarin shqiptar me një pushkë me shtizë.

Pas incidentit, ai u largua me makinë dhe u ndalua disa orë më vonë nga karabinierët në Falconara, teksa po kthehej nga bregdeti, ku kishte qenë për peshkim me partneren e tij.

Gjatë seancës së apelit, i pandehuri bëri deklarata spontane në prani të avokatit mbrojtës, Davide Mengarelli, i cili kërkoi rikualifikimin e veprës duke përfshirë elementin e vetëmbrojtjes.

Jemi njerëz dhe njerëzit gabojnë. Nuk e kuptoj si ndodhi. Ishte vapë dhe nuk po arrija të kuptoja situatën. Mora shtizën vetëm për ta trembur, nuk e dija që dikush kishte humbur jetën”, u shpreh Melloul para gjykatës.

Ai gjithashtu kërkoi falje ndaj Bashkisë së Sirolos, duke kujtuar se kishte kaluar momente të bukura atje.

Vendimi përfundimtar pritet të jepet më 10 qershor, ndërsa familja e viktimës ka nisur një proces civil përmes studios ligjore “Magistrelli”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit