Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar seanca për dosjen “Plumbi i Artë”, ku ka dëshmuar Genta Gosa, bashkëshortja e Fatos Gosës, lidhur me vrasjen e Andi Zylyfit. Ajo ka theksuar se në kohën kur ndodhi ngjarja, bashkëshorti i saj ishte i arrestuar në Tiranë dhe se nuk ka pasur asnjë konflikt mes tyre.
“Fatos Gosa në atë kohë ka qenë i arrestuar në Tiranë. Takova Burbuqen, një e afërme e viktimës dhe i thashë që Fatosi nuk e ka bërë. Nëse ai ka gisht tek vrasja e Andi Zylyfit, i thash vriti djemtë e mi. Burbuqja më tha, t’u thaftë goja, si thua ti vriti djemtë e mi, të isha unë tha nuk do e kisha bërë. Ma zë goja i thashë sepse burri im nuk e ka bërë. Të pranishëm aty ishin Tafiku dhe Burbuqja. Kishim kohë që e mendonim të shkonim dhe të flisnim. I thashë burri im nuk e ka bërë. Kam 26 vite e martuar me Fatosin, nuk kemi pasur asnjë problem hasmërie me Andi Zylyfin. Marrëdhëniet tona kanë qenë të mira”, deklaroi Genta Gosa.
Fatos Gosa u arrestua në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pas dëshmisë së Nuredin Dumanit. Nga dosja hetimore rezulton se ai ka qenë informatori i vrasësve me pagesë, duke treguar vendndodhjen e Andi Zylyfit teksa luante domino me babanë e tij, ku më pas viktima u ekzekutua më 13 dhjetor 2019 në fshatin Përparim, në rrugën nacionale Elbasan-Peqin.