Një qen i trajnuar K-9, i angazhuar në Aeroportin Metro të Detroitit, në bashkëpunim me specialistët e bujqësisë të Shërbimit Doganor dhe Mbrojtjes së Kufirit të SHBA-së (CBP), është vlerësuar për dy raste të fundit ku arriti të zbulojë fidanë të padeklaruar në bagazhet e udhëtarëve që mbërrinin në aeroport.
Njëri prej rasteve lidhej me një pemë frutore të dyshimtë, e cila vinte nga Moldavia dhe nuk ishte deklaruar nga pasagjeri.
Drejtori i operacioneve në terren të CBP, Marty C. Raybon, publikoi edhe një video ku shfaqet qeni K-9 Baylee, i pajisur me jelekun identifikues të agjencisë, teksa zbulon fidanin gjatë kontrollit të bagazheve më 3 mars.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, agjencia paralajmëroi se pemë të tilla mund të bartin dëmtues dhe sëmundje të rrezikshme për bimët, duke u bërë thirrje udhëtarëve që të mos transportojnë materiale bimore nga vendet e origjinës.
Në një tjetër rast, i njëjti qen zbuloi disa fidanë të vegjël kumbulle të padeklaruar në bagazhin e një pasagjeri që kishte ardhur nga Shqipëria më 20 shkurt. Sipas Raybon, këto bimë mund të ishin bartëse të virusit “plum pox”, një sëmundje serioze që prek frutat me bërthamë dhe që SHBA ka arritur ta zhdukë së fundmi, ndaj rikthimi i tij mbetet një rrezik i madh.
Autoritetet amerikane rikujtojnë se ekziston një listë e qartë me sende të ndaluara ose të kufizuara për t’u futur në SHBA përmes udhëtimeve ajrore.
Raste të tjera të raportuara më parë në aeroportin e Detroitit përfshijnë zbulimin e një mize mesdhetare të frutave në produkte të dëmtuara nga një udhëtar nga Shqipëria, larva insektesh në lule të freskëta nga Italia, si dhe mbetje të një brumbulli invaziv në bagazhe që vinin nga Libani.
Sipas autoriteteve, kontrollet e imtësishme të bagazheve janë thelbësore për të mbrojtur bujqësinë dhe ekosistemin në SHBA nga përhapja e dëmtuesve të rrezikshëm.