Policia në Belgjikë ka vënë në pranga tre shtetas shqiptarë të dyshuar për disa vjedhje, pasi një gabim i thjeshtë lënia aktive e lokalizuesit në telefon çoi në identifikimin e tyre. Sipas prokurorisë, ata dyshohen për të paktën pesë raste vjedhjeje, ndërsa nuk përjashtohet që numri i tyre të jetë edhe më i madh.
Njëri prej të arrestuarve, 25 vjeç, ka deklaruar se ishte detyruar të kryente vjedhje për të siguruar para për kthimin në Shqipëri. Bashkë me të u arrestuan edhe vëllai i tij 26-vjeçar dhe një burrë 50-vjeçar.
Treshja u kap nga policia në Dilbeek, teksa flinin në pjesën e pasme të makinës së tyre, e cila ishte shpallur në kërkim pasi ishte parë pranë disa banesave të grabitura në zona si Puurs-Sint-Amands dhe Temse. Madje, në një rast, një banor kishte arritur të fotografonte automjetin.
Gjatë kontrollit, në makinë u gjetën mjete të përdorura për vjedhje, si dhe sende të ndryshme të dyshuara si të vjedhura, përfshirë monedha ari, bizhuteri, parfume, veshje dhe çanta. Disa prej këtyre objekteve janë lidhur me pesë raste konkrete, por një pjesë tjetër nuk i përket viktimave të identifikuara, çka ngre dyshime për përfshirje në vjedhje të tjera.
Hetimet u mbështetën fort edhe në të dhënat e telefonit të njërit prej të dyshuarve, i cili kishte lënë aktiv funksionin e gjurmimit, duke e lidhur drejtpërdrejt me vendet ku ndodhën vjedhjet.
Prokuroria ka kërkuar dënim me 18 muaj burg për secilin. Të tre të akuzuarit nuk i kanë mohuar veprimet dhe kanë shpjeguar se kishin emigruar me synimin për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar, por sipas mbrojtjes, ishin mashtruar dhe kishin mbetur në Belgjikë pa mjete jetese.
Avokatët e tyre argumentojnë se gjendja e rëndë ekonomike i shtyu drejt krimit dhe kërkojnë një dënim më të butë, me kusht. Sipas mbrojtjes, veprimet e tyre ishin rezultat i dëshpërimit dhe jo i një aktiviteti të mirëorganizuar kriminal.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 4 maj.