Shqipëria vijon të mbetet pas vendeve të rajonit për sa i përket nivelit të pagave, edhe pse në letër shfaq rritje ekonomike të qëndrueshme. Në vitin 2025, paga mesatare mujore bruto arriti rreth 860 euro, duke mbetur dukshëm më e ulët se në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, ku diferenca varion nga 28% deri në 50%. Rritja e pagave në Shqipëri ka qenë modeste dhe nuk ka arritur të mbyllë hendekun me rajonin.
Një nga arsyet kryesore është modeli i rritjes ekonomike, i cili mbështetet kryesisht te zgjerimi i administratës publike dhe sektorë si ndërtimi e pasuritë e paluajtshme, që nuk krijojnë vlerë të qëndrueshme afatgjatë. Kjo strategji nuk ka nxitur mjaftueshëm produktivitetin dhe zhvillimin e sektorëve realë të ekonomisë, duke kufizuar rritjen reale të të ardhurave për qytetarët.
Si pasojë, shqiptarët përballen me çmime të larta, sidomos për ushqimet, ndërkohë që kanë fuqi blerëse më të ulët se vendet fqinje. Kjo ka nxitur rritjen e blerjeve jashtë vendit, duke ulur konsumin e brendshëm dhe të ardhurat e bizneseve vendase. Situata krijon një rreth vicioz, ku rritja ekonomike nuk përkthehet në mirëqenie reale dhe pengon zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë.