Të dhënat më të fundit të sapopublikuara mbi indeksin e çmimeve konfirmojnë atë që qytetarët po e ndjejnë çdo ditë në xhepat e tyre: kostoja e jetesës po pëson një rritje të pandalshme, ku peshën kryesore pas transportit po e mban strehimi.
Sipas raportit zyrtar mbi inflacionin, grupi që përfshin qiratë, ujin dhe energjinë ka shënuar një rritje shqetësuese prej 4.8%, duke u kthyer në një ndër barrët më të rënda për buxhetet familjare.
Ky shtrenjtim i vazhdueshëm i qirave po krijon një situatë kritike, sidomos për të rinjtë dhe familjet që jetojnë në qytetet kryesore, ku gjetja e një banese me çmim të arsyeshëm po kthehet në një mision thuajse të pamundur.
Ndërsa norma vjetore e inflacionit ka arritur në 2.6%, rritja e çmimeve nuk është e kufizuar vetëm te muret e shtëpisë. Sektori i transportit mbetet kampioni i shtrenjtimit me një rritje galopante prej 7.5%, e ndikuar fuqishëm nga pasiguria në tregjet ndërkombëtare të energjisë pas konflikteve të fundit në Lindjen e Mesme, veçanërisht me Iranin.
Kjo rritje e çmimit të karburanteve ka krijuar një efekt zinxhir që po godit çdo shërbim, duke bërë që edhe sigurimet, shërbimet financiare dhe produktet e argëtimit të kushtojnë shumë më tepër se një vit më parë.
Edhe pse ushqimet dhe pijet joalkoolike kanë pasur një rritje më të moderuar prej 1.3%, rritja e kostove fikse si qiraja dhe transporti po lë gjithnjë e më pak hapësirë për konsum tjetër. Shërbimet e restoranteve dhe akomodimit po ashtu janë shtrenjtuar me 2.4%, duke reflektuar rritjen e kostove të lëndëve të para dhe qirave të ambienteve tregtare.
Në këtë tablo të vështirë ekonomike, qytetarët po përballen me një realitet ku rrogat mbeten pas, ndërsa çmimi i strehimit dhe lëvizjes vazhdon të ngjitet në majat e reja, duke diktuar një rënie të ndjeshme të fuqisë blerëse.