Shtëpia e Bardhë ka shpallur “fitoren” pas operacionit ushtarak kundër Iranit, duke pretenduar se objektivat kryesore të fushatës janë arritur.
Gjatë një konference për mediat, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se kërcënimi që vinte nga Irani është “shkatërruar në masë të madhe” dhe se programi bërthamor i Teheranit është goditur rëndë.
Sipas saj, qëllimi i presidentit Donald Trump ka qenë eliminimi i ambicieve bërthamore të Iranit dhe dobësimi i kapaciteteve të tij ushtarake, veçanërisht në fushën e raketave, dronëve dhe forcave detare.
Leavitt pretendoi se operacioni “Epic Fury”, ka shkatërruar bazën ushtarako-industriale të Iranit, duke e lënë marinën iraniane pothuajse të paralizuar dhe duke dëmtuar rëndë strukturën komanduese të vendit.
Ajo shtoi se Irani ka pranuar armëpushimin pasi “nuk mund të përballonte më bombardimet”, ndërsa tani pritet të nisë një fazë e re negociatash diplomatike.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, SHBA ka marrë një propozim të ri nga Irani, i cili konsiderohet një “bazë e zbatueshme” për negociata të mëtejshme, megjithëse detajet e planit nuk janë bërë publike.
Leavitt hodhi poshtë raportimet e disa mediave për një plan të mëparshëm iranian, duke thënë se ai ishte “i papranueshëm” dhe se administrata amerikane e kishte refuzuar menjëherë.
Megjithatë, mbetet ende e paqartë se çfarë përmban konkretisht propozimi i ri dhe nëse ai mund të çojë në një marrëveshje afatgjatë për paqe në rajon.
Theksi tani, sipas Uashingtonit, zhvendoset nga fusha ushtarake te tavolina e negociatave, në një moment kur armëpushimi në Lindjen e Mesme vazhdon të mbetet shumë i brishtë.