Armëpushimi i arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se është në rrezik serioz, pasi Teherani paralajmëron se mund të tërhiqet nga marrëveshja nëse Izraeli vijon sulmet ndaj Libanit.
Sipas mediave iraniane, një burim i informuar ka deklaruar se Irani “do të tërhiqet nga marrëveshja” në rast se vazhdojnë shkeljet e armëpushimit nga Izraeli përmes sulmeve në territorin libanez. Teherani po monitoron situatën, duke i cilësuar goditjet e fundit si “shkelje të qarta”.
Paralajmërimi vjen pasi ushtria izraelite njoftoi se ka goditur mbi 100 objektiva brenda vetëm 10 minutash në Beirut, në Luginën Bekaa dhe në jug të Libanit, në atë që e cilëson si sulmin më të madh që nga nisja e ofensivës.
Nga ana tjetër, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit me Iranin, duke e përshkruar konfliktin me Hezbollahun si një “përplasje të veçantë”.
“Për shkak të Hezbollahut, ata nuk janë përfshirë në marrëveshje,” u shpreh Trump, duke shtuar se situata në Liban do të trajtohet më vete.
Këto deklarata bien në kundërshtim me pretendimet e disa ndërmjetësve ndërkombëtarë, të cilët kanë sugjeruar se armëpushimi synon të përfshijë të gjithë rajonin, përfshirë edhe Libanin.
Ndërkohë, media të lidhura me shtetin iranian raportojnë se Teherani po shqyrton masa të tjera reagimi, ndërsa paralajmërojnë për pasoja nëse sulmet izraelite vazhdojnë.
Pavarësisht retorikës së ashpër, deri tani Irani nuk ka ndërmarrë sulme të reja ndaj Izraelit pas goditjeve të fundit në Liban.
Situata mbetet e tensionuar dhe çdo përshkallëzim i mëtejshëm rrezikon të çojë në prishjen e plotë të armëpushimit dhe një përfshirje më të gjerë rajonale në konflikt.