Skena dramatike janë regjistruar ditën e sotme në Bejrut dhe zona të tjera të Libanit, në atë që ushtria izraelite e ka cilësuar si sulmin më të madh ajror në vend që nga nisja e konfliktit.
Sipas IDF, më shumë se 100 objektiva u goditën brenda rreth 10 minutash në Bejrut, në Luginën Bekaa dhe në jug të Libanit. Mediat ndërkombëtare raportojnë se në operacion janë përfshirë rreth 50 avionë luftarakë, ndërsa janë hedhur rreth 160 bomba mbi disa zona njëkohësisht.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjet tregojnë shpërthime të fuqishme, ndërtesa të përfshira nga flakët dhe re të mëdha tymi mbi kryeqytetin libanez, me shumë përdorues që i kanë përshkruar skenat si “apokaliptike”.
Autoritetet shëndetësore libaneze raportojnë për viktima dhe qindra të plagosur, ndërsa ekipet e emergjencës po vijojnë operacionet në terren.
Sulmi vjen në një moment shumë të ndjeshëm, vetëm pak orë pasi u raportua për një armëpushim të përkohshëm mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Teherani e ka cilësuar ofensivën në Liban si “shkelje të armëpushimit”, ndërsa pala izraelite ka deklaruar se marrëveshja nuk përfshin frontin libanez dhe operacionet kundër Hezbollahut do të vazhdojnë.