Ish-kreu i tifozëve ultras të Interit, Marco Ferdico, është një nga 54 personat e arrestuar në kuadër të një operacioni të gjerë të Policisë së Shtetit në Itali, në bashkëpunim me Prokurorinë e Catanzaros.
Arrestimet u kryen në provincat e Vibo Valentia, Catanzaro, Reggio Calabria, Cosenza, Benevento, Milano, Rovigo dhe Viterbo. Në total, 46 persona u dërguan në burg, ndërsa 8 të tjerë u vunë nën arrest shtëpie me detyrim paraqitjeje.
Të hetuarit akuzohen për pjesëmarrje në grupe kriminale mafioze dhe për veprat penale të trafikimit të drogës, tentativës së vrasjes, plagosjeve të rënda, vjedhjeve, dëmeve të shumta, mbajtjes së armëve në vend publik, zotërimit të lëndëve shpërthyese, zhvatjes, dhunës ose kërcënimeve ndaj zyrtarëve publikë dhe krime të tjera të ndryshme.
Në dosjen milaneze shfaqet emri i Marco Ferdico, ish-kreu i Sektorit Veriot të Interit, i cili është dënuar më parë me 4 vite e 8 muaj burg nëpërmjet gjykimit të shkurtuar për përfshirjen e grupimeve ultras në veprimtari kriminale. Ai është gjithashtu në proces gjyqësor në Milano për vrasjen e Vittorio Boiocchi. Në hetimin e fundit, Ferdico akuzohet për përfshirje në grupe kriminale mafioze dhe trafik droge.