Sipas një informacioni të publikuar nga Drejtoria e Burgjeve në tetor të vitit të kaluar, gjatë periudhës janar 2020 – shtator 2025 kanë humbur jetën brenda mureve të burgjeve 134 persona, ndërsa 5 të tjerë janë regjistruar të vdekur në tre muajt e parë të vitit 2026.
Të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2024 shënoi numrin më të lartë të ngjarjeve fatale brenda institucioneve penitenciare. Nga 32 të burgosur që ndërruan jetë gjatë atij viti, 31 rastet janë për shkak të shkaqeve shëndetësore dhe një rast është vetëvrasje.
Një panoramë e ngjashme vihet re edhe në vitin 2023, ku nga 25 vdekje, 23 lidhen me probleme shëndetësore, një rast me vetëvrasje dhe një rast me vrasje. Shumica e viktimave kanë ndërruar jetë në spital, duke treguar gjendjen e rënduar shëndetësore të të burgosurve.
Në vitin 2022 u regjistruan 17 vdekje, kryesisht për shkaqe shëndetësore, ndërsa dy raste ishin vetëvrasje. Në vitin 2021, nga 19 vdekje, 17 lidhen me sëmundjet dhe dy me vetëvrasje. Viti 2020 shënoi 26 vdekje, ku 21 raste ishin nga sëmundjet dhe 5 vetëvrasje. Vetëm gjatë 9 muajve të vitit të kaluar janë regjistruar 15 vdekje, 14 prej të cilave për shkaqe shëndetësore dhe një rast vetëvrasje.
Të dhënat tregojnë qartë se problemi kryesor në sistemin penitenciar mbetet shëndeti i të burgosurve, me një numër të lartë vdekjesh që lidhen me sëmundjet. Ndërkohë, edhe pse në numër më të ulët, rastet e vetëvrasjeve mbeten një alarm serioz për institucionet e drejtësisë dhe shëndetësisë penitenciare.