Rritet numri i shqiptarëve të dënuar në Britani, një person përfundon në burg çdo dy ditë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.04.2026, 10:33

Shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar po përballen me një valë dënimesh penale, me një mesatare prej një të dënuari çdo dy ditë. Sipas The Telegraph, vetëm në tre muajt e parë të vitit, 63 shtetas shqiptarë janë dënuar me gjithsej 207 vite burg.

Ata përbëjnë rreth 9% të të burgosurve në Angli dhe Uells, duke qenë grupi më i madh mes shtetasve të huaj. Shumë prej tyre dyshohet se kanë hyrë ilegalisht në vend, kryesisht përmes kalimit të Kanalit me gomone.

Veprat penale më të shpeshta lidhen me trafikun e drogës dhe vjedhjet, ndërsa rastet e rënda nuk mungojnë, përfshirë edhe një dënim të përjetshëm për vrasjen e një foshnjeje tre muajshe. Kostoja për mbajtjen e një të burgosuri arrin në 60,018 paund në vit, çka përkthehet në afro 800 milionë paund nëse të gjithë të dënuarit kryejnë dënimet e plota.

Autoritetet britanike e lidhin këtë fenomen me rritjen e emigracionit ilegal në vitin 2022, kur mbi 12 mijë shqiptarë mbërritën në Britani.

Autoritetet theksojnë se ekonomia informale në sektorë si ndërtimi, hoteleria, lavazhet apo berberhanet, ku fitohen rreth 100 paund në ditë, mbetet një faktor tërheqës për shumë emigrantë nga shtresat më të varfra. Mes rasteve të fundit janë edhe dënimet ndaj disa shtetasve shqiptarë për trafik droge, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje në shkallë të gjerë, ku dëmet arrijnë në mbi 1 milion paund.

Sipas ligjit britanik, shtetasit e huaj që dënohen me më shumë se 12 muaj burg përballen automatikisht me dëbim. Ndërkohë, propozimet e reja synojnë që disa prej tyre të dëbohen menjëherë pas shpalljes së dënimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit