Bilanc tragjik në Mesdhe: Mbi 180 viktima në 10 ditë, 2026 ndër më fatalet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 08.04.2026, 09:40

Mbi 180 persona dyshohet se kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur pas disa mbytjeve të anijeve në Mesdhe gjatë 10 ditëve të fundit, njoftuan të martën Kombet e Bashkuara. Sipas të dhënave, që nga fillimi i vitit 2026, numri total i viktimave i afrohet 1,000.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) bëri të ditur se vetëm në Mesdheun Qendror, rreth 765 persona kanë humbur jetën këtë vit – mbi 460 më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në total, në të gjithë Mesdheun janë regjistruar të paktën 990 viktima gjatë vitit 2026, duke e bërë këtë një nga fillimet më tragjike të një viti që prej 2014-ës, kur nisën të mblidhen këto statistika.

Vetëm që nga 28 marsi, të paktën 181 persona kanë vdekur ose janë zhdukur si pasojë e pesë incidenteve të ndara detare.

Ngjarja më e fundit ndodhi të dielën, kur mbi 80 emigrantë rezultojnë të zhdukur pasi anija me rreth 120 persona në bord u përmbys në Mesdheun Qendror, pasi ishte nisur nga Tajoura e Libisë. Sipas IOM-it, anija u përball me kushte të vështira moti përpara se të fundosej.

32 persona arritën të shpëtohen nga një anije tregtare dhe një rimorkiator, ndërsa më pas u transportuan drejt Lampedusës nga roja bregdetare italiane. Deri tani janë gjetur edhe dy trupa të pajetë.

Në një tjetër tragjedi më 1 prill, pranë Lampedusës u zbuluan të paktën 19 viktima në një anije të mbytur, ndërsa 58 persona – mes tyre gra dhe fëmijë – u shpëtuan, disa në gjendje të rëndë.

Të mbijetuarit treguan se udhëtimi kishte nisur nga Zuara në Libi gjatë natës mes 28 dhe 29 marsit. Pas tre ditësh në det, mjeti lundrues mbeti i bllokuar për shkak të defektit në motor, mungesës së karburantit dhe ushqimit, ndërsa kushtet atmosferike u përkeqësuan. Sipas dëshmive, shumë prej viktimave mund të kenë ndërruar jetë para mbërritjes së ndihmës, ndoshta si pasojë e hipotermisë.

Po atë ditë, një tjetër aksident ndodhi në Detin Egje, pranë Bodrumit në Turqi, ku të paktën 19 emigrantë humbën jetën pasi një gomone u përmbys gjatë rrugës drejt Greqisë. Disa persona u shpëtuan.

Ngjarje të tjera përfshijnë një fundosje më 30 mars pranë Sfax-it në Tunizi, ku 19 persona vdiqën dhe rreth 20 të tjerë rezultojnë të zhdukur, si dhe një incident më 28 mars pranë Kretës, ku humbën jetën të paktën 22 persona pasi ishin nisur nga Libia lindore.

Drejtoresha e IOM-it, Amy Pope, theksoi se këto tragjedi tregojnë se shumë njerëz vazhdojnë të rrezikojnë jetën në rrugë tepër të rrezikshme migrimi. Ajo nënvizoi se shpëtimi i jetëve duhet të jetë prioritet, por gjithashtu kërkohen masa më të forta dhe të koordinuara për të ndaluar trafikimin dhe shfrytëzimin e migrantëve, si dhe për të krijuar alternativa më të sigurta dhe të ligjshme për lëvizjen e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit