“Është e pamundur të flesh, dridhet i gjithë pallati tërë natën”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 08.04.2026, 00:39

Një qytetare i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një rast të prishjes së qetësisë publike në zonën e Astirit, ku sipas saj një bar-kafe po u kthen netët në makth banorëve të pallatit.

Në videon e dërguar në redaksi, denoncuesja shprehet se zhurma e krijuar nga aspiratorët dhe kondicionerët të vendosur nga lokali është e vazhdueshme dhe e padurueshme.

“Kjo është zhurma e çdo nate që ne përjetojmë. Është e pamundur të flesh, sepse ka një zhurmë të tmerrshme. Pallati dridhet tërë natën nga kjo zhurmë, janë 24 orë ndezur”, dëgjohet të thotë ajo në video.

Sipas mesazhit të dërguar në redaksi, bëhet fjalë për bar-kafe “Oslo” në Astir, për të cilën banorët pretendojnë se ka zënë hapësirat e përbashkëta dhe publike përreth pallatit, ndërsa pajisjet e fuqishme të ventilimit dhe kondicionimit shkaktojnë dridhje në të gjithë godinën.

Qytetarja shprehet se, pavarësisht telefonatave të vazhdueshme, sipas saj nuk ka pasur reagim nga institucionet përgjegjëse.

“Nuk vjen as policia, as bashkia, as IKMT. Nuk po qëndrojmë dot në shtëpi. Gjysma e banorëve kanë frikë të ankohen”, shkruan ajo.

Ajo shton gjithashtu se lokali, sipas pretendimeve të banorëve, ka zënë edhe një pjesë të konsiderueshme të hapësirës publike para pallatit, duke bllokuar kalimin dhe duke shtuar shqetësimin për komunitetin.

JOQ Albania e sjell këtë denoncim për të kërkuar reagim nga institucionet përkatëse dhe për të verifikuar situatën e raportuar nga banorët e zonës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit