Rusia dhe Kina kanë vënë veto ndaj një projekt-rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila synonte të inkurajonte përpjekje të koordinuara mbrojtëse për garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Rezoluta, e propozuar nga vendet e Gjirit dhe e mbështetur nga Bahreini, mori 11 vota pro, ndërsa Pakistani dhe Kolumbia abstenuan. Megjithatë, ajo nuk kaloi për shkak të vetos së dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusisë dhe Kinës.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, drafti fillestar ishte zbutur disa herë gjatë javëve të fundit. Në versionet e para përfshihej referenca ndaj Kapitullit VII, që do të mundësonte autorizimin e përdorimit të forcës ushtarake. Më pas kjo formulë u hoq dhe teksti final vetëm inkurajonte shtetet të koordinojnë masa mbrojtëse për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare.
Takimi u drejtua nga ministri i Jashtëm i Bahreinit, Abdullatif bin Rashid Al Zayani, i cili deklaroi para votimit se rezoluta nuk synonte krijimin e një realiteti të ri, por ishte një përgjigje serioze ndaj asaj që e quajti një model të përsëritur sjelljeje armiqësore nga Irani.
Ai paralajmëroi se dështimi i Këshillit të Sigurimit për të reaguar ndaj përdorimit të kësaj rruge strategjike si mjet presioni mund të sillte pasoja të rënda për ekonominë globale dhe të krijonte precedent edhe në ngushtica të tjera detare.