Miliardat e mafias italiane/ GJKKO “kyç” në burg Rezart Taçin: 11 vite heqje lirie

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.04.2026, 20:12

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë sot një vendim kapitullues për një nga emrat më të njohur të botës së biznesit në Shqipëri, Rezart Taçin. Ish-manjati i naftës është shpallur fajtor për përfshirje në një skemë komplekse të pastrimit të parave, e cila kishte si qëllim qarkullimin e miliona eurove të dyshuara si pasuri të mafias italiane në llogaritë bankare shqiptare.

Trupi gjykues e gjeti Taçin fajtor për dy akuza të rënda: atë të pastrimit të produkteve të veprës penale, për të cilën u dënua me 11 vite burgim, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, që i shtoi edhe 2 vite të tjera dënimit të tij. Megjithatë, në bazë të parimit të bashkimit të dënimeve, GJKKO vendosi që dënimi përfundimtar për biznesmenin të jetë 11 vite heqje lirie.

Hetimet e organit të akuzës zbuluan një tentativë për të pastruar plot 18.3 milionë euro, pasuri që rridhte nga aktivitetet e paligjshme të organizatave kriminale përtej Adriatikut. Ky proces gjyqësor ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm, pasi fillimisht u desh të pezullohej për një vit, pasi Rezart Taçi nuk u gjet nga autoritetet për të ekzekutuar masën e sigurisë "arrest në burg", duke bërë që gjykimi ndaj tij të vijonte në mungesë.

Për këtë dosje voluminoze nuk është dënuar vetëm biznesmeni. Më herët, drejtësia ka dhënë verdiktin edhe për bashkëpunëtorët e tij në këtë skemë, Bledar Lilo dhe Artur Balla.

Lilo u dënua me 6 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa Balla me 7 vjet e 4 muaj. Ky vendim i sotëm shënon një moment kyç në luftën kundër krimit financiar, duke treguar se as emrat me peshë në botën e biznesit nuk janë të paprekshëm kur bëhet fjalë për lidhje me rrjetet ndërkombëtare të mafias.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit