Dështon gara për Portin e Ri të Porto Romanos: Anulohet zyrtarisht tenderi

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 07.04.2026, 19:33

Projekti madhor për ndërtimin e Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano ka pësuar një goditje të papritur, duke u mbyllur pa një fitues.

Autoriteti Portual i Durrësit ka shpallur zyrtarisht njoftimin e anulimit në Buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik, duke i dhënë fund fazës së parë të kësaj procedure që mbartte një peshë financiare tejet të lartë.

Ky vendim vjen si pasojë e ngërçit në fazën e dytë të konkurrimit, ku pavarësisht rëndësisë strategjike të objektit, asnjë ofertë e vlefshme nuk u depozitua brenda afateve të përcaktuara ligjore.

Shkak i drejtpërdrejtë për këtë dështim është bërë tërheqja e heshtur e operatorit të vetëm që kishte mbetur në garë. Kompania "Archirodon", e cila ishte kualifikuar për të vijuar procesin, nuk ka paraqitur një ofertë financiare në sistemin elektronik, duke e lënë komisionin e vlerësimit pa asnjë alternativë në tavolinë.

Sipas procesverbalit zyrtar, anëtarët e komisionit konstatuan se pas aksesimit të sistemit nuk figuronte asnjë dokumentacion nga operatori ekonomik i kualifikuar, gjë që sipas ligjit për prokurimin publik, çon automatikisht në anulimin e procedurës për shkak të mungesës së kërkesave të përshtatshme.

Fondi limit i parashikuar për këtë projekt kapte shifrën mbresëlënëse prej rreth 39.3 miliardë lekësh, ose mbi 399 milionë euro, duke e bërë atë një nga investimet më të mëdha publike të viteve të fundit.

Ky projekt synonte transformimin rrënjësor të infrastrukturës portuale në vend, por tashmë fati i tij mbetet i paqartë. Me publikimin e këtij njoftimi, nisin edhe afatet për ankimimin e vendimit, ndërsa mbetet për t'u parë nëse autoriteti kontraktor do të rishpallë garën me kushte të reja apo do të kërkojë forma të tjera për realizimin e kësaj vepre madhore për ekonominë shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit