Më 7 prill 2023 publikuam një denoncim mbi një tender të rëndësishëm të zhvilluar nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), institucion në varësi të Bashkisë së drejtuar nga Erion Veliaj. Sipas dokumenteve të regjistruara më 3 prill, objekti i prokurimit ishte “Blerje karburanti për nevoja të Shoqërisë”, ndërsa fondi limit kapte vlerën e rreth 790 milionë lekëve. Në dokumentacion nuk specifikohej qartë përdorimi konkret i karburantit, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe destinacionin e këtyre fondeve publike.
Nga të dhënat e bëra publike rezultonte se tenderi ishte fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë Behar Çukaj dhe Fabian Goçi, ky i fundit i lidhur familjarisht me deputeten e Partisë Demokratike Ina Zhupa. Në procedurë nuk evidentohej garë reale, pasi nuk paraqiteshin operatorë të tjerë konkurrues apo të skualifikuar. Goçi kishte përfshirë në këtë tender edhe dy kompani të tijat, “A&T” shpk dhe “2A2F – L OIL” shpk, ndërsa Çukaj garoi përmes firmës “Olsi” shpk, duke ndarë fondin mes tyre.
Në atë publikim theksohej gjithashtu se Fabian Goçi kishte shtrirje të gjerë në disa kompani të tjera në sektorin e hidrokarbureve dhe ndërtimit, si “Balkan Petrolium Internacional”, “Diga”, “Balkan Petrolium Albania” dhe “BA-Konstruksion”. Ndërkohë, Behar Çukaj lidhej me kompaninë “BOLV OIL” dhe ishte denoncuar më parë për problematika me cilësinë e karburantit në tenderë publikë. Tre vite më pas, më 7 prill 2026, ky rast rikujtohet si një shembull i dyshimeve për mungesë transparence dhe lidhje të forta mes politikës dhe përfituesve të fondeve publike.
