Klubi i madh brazilian fillon tentativat për t’i marrë Shqipërisë trajnerin Sylvinho

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.04.2026, 15:05

E ardhmja e trajnerit Sylvinho mund të marrë një kthesë drejt vendlindjes së tij, Brazilit. Sipas raportimeve, tekniku aktual i Kombëtares Shqiptare është në listën e kandidatëve të Corinthians për të zëvendësuar Dorival Junior, i cili ka dhënë dorëheqjen.

Sylvinho është ende nën kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në fund të muajit korrik dhe deri më tani nuk ka një vendim përfundimtar mbi të ardhmen e tij. Megjithatë, në mediat braziliane emri i tij po qarkullon gjithnjë e më shumë si një alternativë konkrete për stolin e Corinthians.

Një nga arsyet kryesore pse ai shihet si kandidat i favorshëm është fakti se e njeh mirë klubin, çka do t’i mundësonte të shmangte një periudhë të gjatë përshtatjeje, ndryshe nga trajnerë të tjerë pa eksperiencë të mëparshme në këtë ambient.

Drejtuesit e Corinthians duket se janë në garë me kohën për të emëruar trajnerin e ri, për shkak të ndeshjeve të rëndësishme që i presin. Të enjten skuadra do të debutojë në Copa Libertadores përballë Platense, ndërsa të dielën luan derbin e madh ndaj Palmeiras në kampionat.

Sa i përket së kaluarës, Sylvinho e ka drejtuar më parë Corinthians në periudhën maj 2021 – shkurt 2022, duke u larguar pas humbjes ndaj Santos. Në total, ai ka qenë në stol për 44 ndeshje, me bilanc 17 fitore, 14 barazime dhe 13 humbje. Përveç kësaj, ai ka qenë pjesë e klubit edhe si futbollist profesionist në vitet 1994–1999.

Megjithatë, Sylvinho nuk është emri i vetëm në tryezën e drejtuesve të Corinthians. Sipas gazetarit João Van Boysen, në listë janë edhe trajnerë të tjerë të njohur si Carlos Carvalhal, Bruno Lage, Tite, Fernando Diniz, Marcelo Gallardo dhe Juan Pablo Vojvoda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit