“Nxorra vajzën shëtitje, qeni iu hodh në kokë”, flet gjyshja e të miturës në Vlorë: Nuk e mbrojta dot

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.04.2026, 14:32

Një vajzë 4-vjeçare është sulmuar nga një qen i racës pitbull mesditën e kësaj të marte në Lungomaren e Vlorës.

E mitura ka pësuar plagë në kokë dhe ndodhet në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Gjyshja e saj, e pranishme në momentin e ngjarjes, rrëfeu për mediat se qeni iu afrua papritur dhe e sulmoi vajzën, duke e kafshuar në kokë. Sipas saj, kafsha u largua për pak çaste, por u rikthye sërish dhe e sulmoi për herë të dytë.

“E nxorra vajzën për xhiro buzë detit, erdhi një qen i madh dhe iu versul vajzës, duke e kafshuar në kokë. Në fillim ai qen rrugaç me zinxhir iku për pak dhe u kthye përsëri kur e sulmoi vajzën dhe unë nuk e mbrojta. Ndërhynë të gjithë qytetarët. Kur erdhi te ne, e kalova vajzën nga ana tjetër, ai bëri sikur po largohej, u rrotullua dhe erdhi përsëri dhe iu hodh vajzës,” tha gjyshja, e tronditur.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë qytetarët, të cilët ndihmuan në neutralizimin e qenit. Dëshmitari Sejko Veliu deklaroi se e lidhi qenin me zinxhir në një shtyllë për të shmangur rrezikun e mëtejshëm.

“E pashë kur qeni e mberthu vajzën te koka. E kapa qenin dhe e lidha me zinxhir te shtylla. Kur vajta unë aty, e mora dhe e lidha, që të mos sulmonte përsëri.”

Qeni është vënë nën kontroll nga policia, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit