Kriza e prodhimit vendas: Perimet dhe frutat e importuara dominojnë tregun

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.04.2026, 11:33

Prodhimi bujqësor në vend po përballet këtë vit me një situatë të vështirë, e cila është pasqyruar qartë në rënien e eksporteve dhe rritjen e ndjeshme të importeve gjatë periudhës janar–shkurt.

Sipas të dhënave të INSTAT, goditjen më të fortë e ka pësuar sektori i perimeve. Importet janë rritur me rreth 23%, duke arritur mbi 16 mijë tonë, ndërsa eksportet kanë shënuar një tkurrje të thellë prej rreth 34%.

Edhe tregtia e frutave ndjek të njëjtin trend negativ. Importet janë zgjeruar me mbi 21%, duke kaluar 18 mijë tonë, ndërsa eksportet kanë rënë me rreth 27%, duke zbritur në vetëm pak mbi 3 mijë tonë. Si pasojë, bilanci tregtar në këtë segment mbetet dukshëm negativ.

Për herë të parë, eksportet bujqësore në sasi shënojnë rënie, duke shënuar një kthesë të pazakontë, ndërkohë që importet vijojnë të rriten me ritme të shpejta.

Në themel të kësaj situate qëndrojnë përmbytjet e muajit janar, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në sera dhe në kulturat bujqësore në fushë. U dëmtuan si prodhimet e gatshme për vjelje, ashtu edhe mbjelljet e reja për sezonin e vitit 2026.

Paralelisht, sektori po përballet me probleme të kahershme, si mungesa e fuqisë punëtore dhe braktisja e tokës bujqësore, për shkak të emigrimit të të rinjve nga zonat rurale. Kjo ka sjellë ulje të sipërfaqeve të mbjella dhe të prodhimit total, duke kufizuar mundësitë për eksport dhe rritur varësinë nga importet. Ndërkohë, fenomenet ekstreme klimatike po e bëjnë situatën edhe më të brishtë.

Gjatë muajve të parë të vitit, prodhimi vendas mbështetet kryesisht te serrat, të cilat u goditën rëndë nga përmbytjet, veçanërisht në zona si Myzeqeja dhe Shkodra, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Edhe fermerët që i shpëtuan dëmtimeve totale u përballën me kosto më të larta për të shpëtuar prodhimin e mbetur, për shkak të nevojës për kullim të ujërave, përdorim më të madh të pesticideve dhe ndërhyrje për tharjen e serave. Në sektorin e frutave, përmbytjet prekën sidomos agrumet që vilen në këtë periudhë.

Një faktor tjetër që ka ndikuar është forcimi i monedhës vendase, i cili ka ulur konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregjet e BE-së, ndërsa ka bërë më të lira importet. Kjo ka nxitur tregtarët të orientohen më shumë drejt furnizimit nga jashtë, kryesisht nga vende si Greqia dhe Turqia.

Në përfundim, të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme të varësisë nga importet ushqimore, duke e bërë vendin më të ekspozuar ndaj luhatjeve të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit