Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të ulë sërish akcizën e karburanteve dhe të zgjasë reduktimin e TVSH-së, pas një rritjeje rekord të konsumit të naftës, e nxitur ndjeshëm edhe nga drejtuesit e mjeteve nga Shqipëria. Konsumi arriti në rreth 2 milionë litra në ditë nga 1.5 milionë më parë, ndërsa një pjesë e madhe e kësaj rritjeje lidhet me furnizimin e makinave shqiptare për shkak të çmimeve më të ulëta në vendin fqinj.
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi një ulje shtesë të akcizës me 4 denarë për litër për naftën dhe 2 denarë për benzinën, si dhe zgjatjen deri më 20 prill të TVSH-së së reduktuar nga 18% në 10%. Aktualisht, çmimet në tregun maqedonas janë rreth 1.36 euro për litër për Eurosuper 95 dhe 1.55 euro për naftën, dukshëm më të ulëta krahasuar me mbi 2.2 euro për litër në Shqipëri.
Sipas të dhënave, shqiptarët po shpenzojnë rreth 1 milion euro në ditë për karburant në vendet fqinje, ose mbi 350 milionë euro në vit, duke përfaqësuar 15-25% të konsumit total. Diferenca e madhe vjen kryesisht nga taksat, pasi në Shqipëri ato arrijnë në rreth 1.16 euro për litër, ose 53% e çmimit final, ndërsa në Maqedoninë e Veriut janë rreth 0.58 euro për litër, çka e bën furnizimin jashtë vendit shumë më të leverdishëm për drejtuesit shqiptarë.