Udhëtimet drejt vendeve të Bashkimit Europian pritet të pësojnë ndryshime të rëndësishme në ditët në vijim, pasi nga 10 prilli 2026 hyn plotësisht në fuqi sistemi i ri i hyrje-daljeve (EES).
Ky mekanizëm, i zbatuar gradualisht që prej 12 tetorit të vitit të kaluar në 29 shtete europiane, do të zëvendësojë vulosjen fizike të pasaportave me regjistrim elektronik të çdo hyrjeje dhe daljeje nga territori i BE-së, si dhe të rasteve kur refuzohet hyrja për shtetasit jashtë unionit që udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra.
Në kuadër të sistemit të ri, autoritetet kufitare do të mbledhin të dhëna biometrike, përfshirë fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve, së bashku me informacionet personale nga dokumenti i udhëtimit.
Qëllimi i këtij sistemi është modernizimi i kontrollit kufitar dhe forcimi i menaxhimit të migracionit, si dhe rritja e sigurisë përmes parandalimit të mashtrimeve dhe identifikimit të personave me risk. Sipas të dhënave zyrtare, që nga nisja e zbatimit, mijëra persona janë ndaluar në kufi për shkak të dokumenteve të parregullta apo pamundësisë për të justifikuar udhëtimin, ndërsa qindra të tjerë janë konsideruar si rrezik për sigurinë.
Sistemi aplikohet për të gjithë shtetasit nga vendet jashtë BE-së dhe zonës Shengen që udhëtojnë për periudha deri në 90 ditë brenda 180 ditëve, përfshirë edhe ata që nuk kanë nevojë për vizë, si turistë apo për qëllime biznesi. Ndërkohë, Irlanda dhe Qiproja nuk do të jenë pjesë e këtij mekanizmi dhe do të vijojnë me kontrollet tradicionale.
Nga rregullat e reja përjashtohen qytetarët e BE-së dhe Shengenit, personat me leje qëndrimi apo viza afatgjata, si dhe kategori të veçanta si personeli i transportit ndërkombëtar, forcat ushtarake dhe banorët kufitarë me leje specifike.
Në muajt e parë të zbatimit, autoritetet paralajmërojnë për vonesa të mundshme në aeroporte, sidomos gjatë orareve me fluks. Pritjet mund të zgjasin deri në dy orë ose më shumë, pasi çdo udhëtar nga vendet e treta duhet të regjistrohet në sistem dhe procedurat nuk mund të anashkalohen si më parë. Për këtë arsye, rekomandohet që pasagjerët të paraqiten në aeroport të paktën 1.5–2 orë më herët se zakonisht.
Udhëtarët do të duhet të regjistrohen në kufi duke dorëzuar të dhënat biometrike, të cilat ruhen për tre vite dhe lehtësojnë kalimet e ardhshme. Refuzimi për të dhënë këto të dhëna sjell automatikisht ndalim hyrjeje, ndërsa për fëmijët nën 12 vjeç kërkohet vetëm fotografia, jo gjurmët e gishtërinjve.
Regjistrimi kryhet në momentin e mbërritjes, por në disa vende ekziston mundësia e një regjistrimi paraprak të pjesshëm përmes një aplikacioni zyrtar të BE-së, që lejon ngarkimin e të dhënave deri në 72 orë para udhëtimit. Megjithatë, verifikimi përfundimtar në kufi mbetet i detyrueshëm për të gjithë.