Turizmi dentar nxit tregun, por edhe kontrollet: Gjoba dhe masa ndaj klinikave

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.04.2026, 09:40

Zgjerimi i shpejtë i klinikave dentare në vend, i nxitur nga rritja e kërkesës për turizëm dentar, ka sjellë edhe një rritje të vëmendjes nga inspektorët ndaj respektimit të standardeve të funksionimit.

Sipas Monitor, në vitin 2025, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor zhvilloi gjithsej 1,206 kontrolle dhe rikontrolle në kabinete dhe laboratorë dentarë, publikë dhe privatë. Nga këto, 1,162 ishin inspektime dhe 44 rikontrolle. Si pasojë, u vendosën 5 gjoba, u morën 6 masa urgjente dhe u dhanë 20 paralajmërime.

Kontrollet po intensifikohen në një kohë kur shërbimet dentare po fitojnë gjithnjë e më shumë peshë ekonomike, përtej rolit të tyre si shërbim bazë shëndetësor. Shqipëria është kthyer në vitet e fundit në një destinacion të rëndësishëm për turizmin shëndetësor, veçanërisht në fushën dentare, duke tërhequr pacientë kryesisht nga Italia për shkak të çmimeve më të ulëta dhe kostove të favorshme të qëndrimit.

Tregu tregon se trajtimet dentare në Shqipëri kushtojnë rreth 35–40% më pak krahasuar me vendet e tjera europiane, ndërsa operatorët kryesorë kanë zgjeruar ndjeshëm aktivitetin dhe të ardhurat.

Sipas të dhënave, Tirana mban peshën kryesore të kontrolleve, me 410 inspektime dhe 4 rikontrolle, si dhe me 3 gjoba, 2 masa urgjente dhe 7 paralajmërime. Më pas renditen Durrësi me 126 inspektime dhe 5 rikontrolle, dhe Shkodra me 111 inspektime dhe 25 rikontrolle. Durrësi shfaq një numër më të lartë masash administrative—1 gjobë, 3 vendime dhe 6 paralajmërime—duke reflektuar presionin e rritjes së aktivitetit dhe nevojën për kontroll më të fortë.

Shkeljet më të zakonshme lidhen me mungesën e dokumentacionit higjieno-sanitar dhe shëndetësor, përfshirë aktet e miratimit, certifikatat DDD, analizat e ujit të pijshëm, librezat shëndetësore të stafit dhe dokumentacionin për menaxhimin e mbetjeve. Gjithashtu, janë evidentuar raste të mospërditësimit të lejeve profesionale, hapësira të pamjaftueshme për ushtrimin e aktivitetit dhe mungesë ambientesh për depozitimin e përkohshëm të mbetjeve spitalore.

Këto problematika marrin rëndësi më të madhe në kushtet e një tregu në zgjerim të shpejtë. Vetëm në vitin 2019, numri i stomatologëve të licencuar u rrit me 710 mjekë të rinj, duke arritur në 2,163 në fund të vitit, nga 1,453 që ishte në fillim.

Rritja e ofertës, e ndjekur nga zhvillimi i turizmit dentar, ka çuar në shtimin e ndjeshëm të klinikave dhe laboratorëve, sidomos në Tiranë dhe në zonat më të aksesueshme për pacientët e huaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit