Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar gjatë natës në zonën e njohur si mbikalimi i Novoselës, ku ka humbur jetën një i ri 24-vjeçar. Viktima, Albi Hoxha, po drejtonte automjetin me targa AB009GN kur dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është përplasur me barrierat anësore të rrugës.
Sipas të dhënave paraprake, i riu është gjetur pa shenja jete rreth 30 metra larg vendit të përplasjes, çka tregon për forcën e madhe të goditjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në aksin rrugor që të çon drejt fshatit Akërni, ndërsa viktima ishte banues në Fier.
Policia bën me dije se rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident fatal.