Një 19-vjeçar shqiptar është arrestuar në Genoa, pasi akuzohet për përfshirje në një sulm të rëndë me thikë ndaj një 21-vjeçari jashtë një diskoteke në qendër të qytetit.
Gjykata ka konfirmuar arrestimin e të riut shqiptar dhe të një 19-vjeçari tunizian, duke vendosur masën e sigurisë burg pa afat, ndërsa të dy akuzohen për tentativë vrasjeje.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur natën mes 1 dhe 2 prillit, kur viktima është sulmuar fillimisht me spray irritues, për t’u goditur më pas me një thikë në shpinë.
Hetuesit dyshojnë se agresioni erdhi pas një sherri që nisi brenda lokalit. Pak më herët, dy të rinjtë dyshohet se i kishin grabitur varësen një shoku të viktimës, veprim për të cilin akuzohen edhe për grabitje të rënduar në bashkëpunim.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, i riu tunizian dyshohet se ka marrë thikën nga një person i tretë, i cili ndodhej pak më i tërhequr nga skena dhe u largua menjëherë pas ngjarjes, raportojnë mediat italiane.
Policia arriti të identifikojë dhe arrestojë dy të rinjtë vetëm pak orë pas incidentit, ndërsa gjatë kontrolleve në banesat e tyre u gjetën edhe rrobat që kishin veshur natën e sulmit.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personit të tretë që dyshohet se ka furnizuar autorin me thikën e përdorur në sulm.