Një incident i pazakontë gjatë ndeshjes mes Bursaspor dhe Mardin 1969 Spor në divizionin e tretë turk është bërë viral në rrjet dhe ka ndezur debate të forta në mediat sociale.
Gjithçka ndodhi pranë vijës anësore, kur futbollisti Mehmet Manış ndërhyri me një rrëshqitje të fortë për të ndalur kundërshtarin. Nga vrulli i aksionit, ai përfundoi duke rrëzuar edhe arbitren anësore Esra Arıkboğa, e cila u përplas në një pjesë të fushës të mbuluar me baltë.
Pamjet tregojnë se Arıkboğa, e licencuar nga FIFA për ndeshje ndërkombëtare, qëndroi për disa sekonda në tokë përpara se të ngrihej. Ajo që ka shkaktuar më shumë reagime nuk ishte vetë përplasja, por fakti që lojtari u largua menjëherë, pa u ndalur për të parë nëse gjyqtarja ishte mirë apo për t’i kërkuar falje.
Ky moment ka ndezur komente të shumta në rrjet, ku ndjekësit janë ndarë në dy kampe.
Një pjesë e komentuesve e kanë cilësuar sjelljen e futbollistit si mungesë respekti dhe edukate.
“Të paktën mund të ndalonte dhe të kërkonte falje”
Ndërsa të tjerë e kanë parë si një aksion loje ku gjithçka ndodhi në pak sekonda dhe lojtari ishte i fokusuar te vazhdimi i ndeshjes.