Çfarë ndodh nëse mbaron karburanti i avionëve? Katër skenarët e krizës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.04.2026, 21:54

Industria ajrore europiane nuk po e konsideron më mungesën e karburantit si një hipotezë të largët laboratorike, por si një rrezik konkret që po troket në dyert e kontinentit. Tensionet gjeopolitike globale dhe pasiguria në zinxhirët e furnizimit kanë ushtruar një presion të paprecedentë mbi tregun e energjisë, duke detyruar autoritetet të hartojnë plane emergjence për një skenar ku "jet fuel" nuk mjafton më për të gjithë.

Edhe pse aktualisht Europa nuk ndodhet në një gjendje alarmi të menjëhershëm dhe rrjeti mund të përballojë mungesa të izoluara, raportimet nga mediat prestigjioze si "Corriere Della Sera" ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi rezervat reale, duke paralajmëruar se në rast të një ndërprerjeje totale, fluturimet mund të garantohen vetëm deri në vjeshtë.

Skenari i parë dhe më i lehtë parashikon një kursim që luhatet mes 10% dhe 20% përmes optimizimit të sistemit pa prekur strukturën e tij. Në këtë fazë, Bashkimi Europian mund të pezullojë rregullin e detyrueshëm të "sloteve", duke u lejuar kompanive të mos kryejnë fluturime gjysmë bosh vetëm për të ruajtur të drejtën e linjës, masë kjo që kursen menjëherë 8% të karburantit.

Udhëtarët do të ndiejnë pak ndikim, ndërsa vëmendja do të përqendrohet te rrugët ajrore më direkte dhe fluturimet në lartësi optimale për të shmangur çdo shpërdorim të panevojshëm.

Nëse kriza thellohet në një mungesë deri në 40%, kufizimet bëhen të drejtpërdrejta dhe të ndjeshme për pasagjerët. Në këtë skenar të dytë, çdo kompani do të operojë me kuota të rrepta karburanti dhe fluturimet që nuk plotësojnë një normë minimal mbushjeje prej 75% do të anulohen ose bashkohen.

Ndryshimi më drastik do të ishte ndalimi i fluturimeve të shkurtra, nën 500 kilometra, ku udhëtarët do të detyrohen të përdorin trenat e shpejtësisë së lartë si alternativë të vetme, duke e kthyer aviacionin në një mjet ekskluziv për distanca të gjata.

Skenari i tretë përfaqëson një regjim menaxhimi krize pa precedent në kohë paqeje, ku karburanti ndahet në mënyrë të centralizuar sipas një hierarkie strikte prioritetesh. Gjysma e fluturimeve do të anuloheshin, ndërsa rezervat e mbetura do të shkonin kryesisht për lidhjet thelbësore me ishujt, transportin e medikamenteve dhe ndihmave humanitare.

Në këtë pikë, fluturimi pushon së qeni një ofertë e lirë tregu dhe kthehet në një shërbim të kufizuar ku çdo lëvizje duhet të marrë miratimin e autoriteteve shtetërore, duke çuar deri në mbylljen e përkohshme të aeroporteve të vogla.

Në nivelin më ekstrem, atë të emergjencës së plotë me një mungesë mbi 65%, aviacioni europian do të kalonte nën kontrollin e plotë qendror të Komisionit Europian dhe Eurocontrol. Në këtë fazë apokaliptike për industrinë, shteti bëhet blerësi dhe shpërndarësi i vetëm i karburantit, duke hartuar plane ditore fluturimi vetëm për nevojat jetike si ushqimet dhe urgjencat mjekësore.

Kjo situatë do ta transformonte aviacionin nga një industri globale në një infrastrukturë kritike të kontrolluar rreptësisht, ku pyetja nuk është më se sa kushton bileta, por kush ka të drejtë strategjike të fluturojë në një botë me energji të kufizuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit