Një video dramatike nga SHBA-ja tregon momentin kur një pilot 65-vjeçar detyrohet të bëjë një ulje emergjente në mes të autostradës, duke kaluar mes automjeteve në një manovër që shumë po e quajnë “skenë filmi”.
Ngjarja ndodhi në Interstate 78, Pennsylvania, kur avioni i vogël që po udhëtonte nga New Jersey drejt Indianës pësoi problem me motorin vetëm pak minuta pas nisjes.
Në pamjet e filmuara nga kamera e një automjeti, shihet avioni duke zbritur me shpejtësi të ulët drejt rrugës, ndërsa pilotit i duhet të marrë një vendim brenda sekondash për të shmangur një tragjedi.
Momenti është jashtëzakonisht tensionues: avioni futet mes korsive dhe kalon vetëm pak metra larg makinave, por piloti arrin ta kontrollojë në mënyrë perfekte, duke e ulur pa prekur asnjë mjet.
Sipas autoriteteve amerikane, në bord ndodheshin piloti dhe një pasagjere 34-vjeçare, ndërsa të dy kanë shpëtuar pa asnjë dëmtim.
Autoritetet amerikane dhe FAA kanë nisur hetimet për të zbuluar shkakun e defektit teknik që detyroi uljen emergjente.