“Kamikazi” me fuoristradë për pak sa nuk shkakton tragjedi në aksin Korçë-Bilisht

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.04.2026, 19:34

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një manovër tepër të rrezikshme në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Belorta, ku një parakalim i gabuar për pak sa nuk është kthyer në një aksident të rëndë.

Sipas pamjeve të dërguara nga kamera e automjetit, shihet momenti kur një drejtues mjeti kryen një parakalim në mënyrë të papërgjegjshme, duke hyrë në korsinë e kundërt në një çast kur përballë po afrohej një tjetër automjet. Përplasja ballore është shmangur vetëm falë reagimit të menjëhershëm të shoferit që po lëvizte normalisht në korsinë e tij.

Në mesazhin e mbërritur në redaksi, qytetari shprehet i tronditur nga ajo që ka ndodhur dhe thekson se situata mund të kishte përfunduar në tragjedi.

“Një shofer i papërgjegjshëm me një parakalim të tmerrshëm për pak sa nuk shkaktoi aksident në rrugën Bilisht-Korçë, pak para Belortasë. Dy familje mund të kishin humbur sot nga njerëz që nuk kanë dëshirë të ndryshojnë dhe nuk u bëhet vonë për të tjerët. Vijmë për pushime nga Greqia dhe për pak sa nuk na iku jeta nga një njeri i tillë.”

Qytetari shton më tej se, pavarësisht gjobave dhe kontrolleve të vazhdueshme nga policia, ende ka drejtues mjetesh që vazhdojnë të qarkullojnë pa asnjë ndjenjë përgjegjësie, duke rrezikuar jetën e të tjerëve në rrugë.

“Qëllimi i këtij mesazhi është sensibilizues. Nëse nuk e kuptojmë që liria shoqërohet me përgjegjësi, këto sjellje do të vazhdojnë të përsëriten.”

Ky denoncim vjen si një tjetër kambanë alarmi për sigurinë rrugore, sidomos në një periudhë kur shumë emigrantë kthehen në atdhe për pushime dhe qarkullimi në rrugë bëhet më i dendur.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit