“Programi i patrullës te Akadamia e Sigurisë del jashtë profilit, siguria e armëve në pikëpyetje”

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.04.2026, 15:00

Një instruktor i armëve të zjarrit pranë Akademisë së Sigurisë ka ngritur një shqetësim serioz në lidhje me zhvillimin e kursit 9-mujor për Patrullën e Përgjithshme, duke theksuar problematika që lidhen si me përmbajtjen e trajnimit, ashtu edhe me sigurinë teknike të armatimit.

Sipas raportimit, bëhet fjalë për rreth 400 kursantë të cilët po trajnohen për role bazë patrullimi, por programi i aplikuar shpesh tejkalon këtë profil. Në vend të përgatitjes për detyra të zakonshme patrulle, kursantët përballen me skenarë që i përkasin më tepër njësive operacionale apo forcave speciale.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me përdorimin intensiv të armëve të zjarrit. Ai thotë se deri më tani, çdo kursant ka kryer rreth 250 fishekë qitje, një volum i konsiderueshëm që, sipas instruktorit, krijon ngarkesë të madhe mbi armët e përdorura, veçanërisht pistoletat tip Glock 17. Ai paralajmëron se përdorimi i shpeshtë nga qindra persona kërkon mirëmbajtje të vazhdueshme, kontrolle teknike dhe servis profesional për të garantuar funksionim të sigurt dhe të saktë.

Po ashtu, ngrihen pikëpyetje mbi përdorimin e armëve që nuk i përkasin strukturës së Policisë së Shtetit, siç është kallashnikovi me tytë të zgjatur, i cili zakonisht përdoret nga ushtria.

Sipas burimit, përfshirja e këtyre armëve në trajnim nuk përputhet me rolin që kursantët pritet të kenë në terren.

Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e transparencës në mirëmbajtjen e armatimit. Edhe pse ekzistojnë persona të punësuar për këtë funksion, sipas instruktorit nuk është e qartë se si realizohen kontrollet teknike, kush mban përgjegjësi konkrete dhe nëse standardet respektohen realisht. Kjo situatë, sipas tij, ngre dyshime edhe mbi menaxhimin e fondeve.

Ndërkohë, orari mësimor përfshin rreth 4 orë në ditë të dedikuara për armët e zjarrit, çka ka sjellë rritje të ndjeshme të stresit dhe lodhjes tek kursantët. Për më tepër, shumë prej ushtrimeve të zhvilluara nuk lidhen drejtpërdrejt me detyrat e patrullës së përgjithshme.

Ironikisht, megjithëse trajnimet përfshijnë elementë të avancuar që i përkasin strukturave operacionale, kursantët në përfundim të programit do të shërbejnë në patrullë të përgjithshme, pa mundësi për t’u angazhuar në njësitë për të cilat po përgatiten në praktikë.

Kjo mospërputhje mes trajnimit dhe rolit real në terren konsiderohet nga burimi si jo normale dhe kërkon vëmendje dhe rishikim nga strukturat përgjegjëse.

Denoncimi i plotë:

Përshëndetje JOQ Albania! Jam një instruktor i armëve të zjarrit pranë Akademisë së Sigurisë për të ngritur një shqetësim serioz dhe të vazhdueshëm në lidhje me mënyrën se si po zhvillohet kursi 9-mujor për Patrullën e Përgjithshme.

Bëhet fjalë për rreth 400 kursantë, të cilët janë në trajnim për rol bazë patrulle dhe jo për njësi operacionale apo forca speciale. Megjithatë, programi që po u zbatohet shpesh del jashtë profilit të tyre funksional, me skenarë që i përkasin më tepër strukturave operacionale.

Në aspektin e armëve të zjarrit, situata është shqetësuese. Kursantët kanë zhvilluar një volum shumë të lartë qitjeje, ku deri tani numri i fishekëve ka arritur afërsisht në 250 për person. Kjo do të thotë një ngarkesë shumë e madhe për armët e përdorura në trajnim, sidomos për pistoletat Glock 17.

Si instruktor, kam shqetësim serioz për gjendjen teknike dhe mirëmbajtjen e këtyre armëve, pasi përdorimi intensiv nga qindra persona kërkon kontroll të vazhdueshëm, kalibrim dhe servis profesional. Po të njejtat armë përdoren edhe në trajnim të vecanta, Apo përdorimi i armës së zgjat kallashnikov amre e cila nuk i përket Policis por ushtrisë.Çdo devijim nga arma në saktësi apo funksionim ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e trajnimit dhe sigurinë.

Një tjetër problematikë është fakti se, ndonëse ekzistojnë persona të punësuar dhe të paguar për mirëmbajtjen e armëve, në praktikë mungon transparenca mbi mënyrën se si kryhet ky proces, kush mban përgjegjësi konkrete dhe nëse kontrollet teknike realizohen realisht sipas standardeve.

Kjo krijon dyshime serioze mbi menaxhimin e fondeve dhe mbi funksionimin e strukturave përgjegjëse për mirëmbajtjen e armatimit.

Gjithashtu, orari mësimor përfshin 4 orë të dedikuara për armët e zjarrit, gjë që ka rritur ndjeshëm nivelin e stresit dhe lodhjes tek kursantët. Shumë prej ushtrimeve nuk lidhen me detyrat e patrullës bazë, por me skenarë të nivelit operacional.

Ku për fatin e keq të kursantëve edhe pse ushtrimet e tyre u përkasin forcave speciale apo operacionale asnjeri prej tyre nuk do i jepet mundesia të shërbej për atë çfarë ai është trajnuar por do të lihen në patrullë të përgjithshme.

Dicka që nuk është normale për një kursant i cili trajnohet për patrullen e përgjithshme. Nëse do trajnoheshin për forcat speciale apo operacionale do ishte në rregull ky orar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit