Jemi në muajin prill dhe sezoni i dasmave ka nisur në trojet shqiptare. Një video e veçantë po qarkullon në rrjetet sociale, ku dy bajraktarët e dy dasmave, gjatë udhëtimit për të marrë nuset, janë kryqëzuar në rrugë dhe kanë ndërruar flamujt mes tyre. Ky moment ka tërhequr vëmendjen e publikut për simbolikën e tij dhe respektin ndaj traditës shqiptare.
Në Kosovë ekziston shprehja, “Dasmë pa flamur e bajraktar nuk bëhet”, që tregon se flamuri nuk ngrihet vetëm për festa, por gjithmonë kur ka gëzim në shtëpi. Gjatë ritit të dasmës, flamuri përçon mesazhin e bashkimit dhe krenarisë, dhe tradicionalisht dasmorët nuk nisen për të marrë nusen pa personin që mban flamurin.
Ndërhyrja e dy bajraktarëve gjatë rrugës, ku ata kanë kryqëzuar dhe ndërruar flamujt, shihet si një akt simbolik tradicional i respektit dhe solidaritetit ndërmjet familjeve dhe respektit ndaj nënës Shqipëri. Ky moment tregon se edhe në dasmat moderne, traditat dhe simbolika e flamurit mbeten pjesë e pandashme e festës shqiptare.