Me pankarta dhe thirrje që godasin drejtpërdrejt institucionet, studentët kërkojnë dorëheqjen e ministrit të drejtësisë. “Nuk ka shtet pa rini”, “Drejtësi, barazi”, “Ministër dorëhiqu” dhe “Studentët nuk tolerojnë” janë sloganet që po shoqërojnë marshimin, por mesazhi i tyre shkon përtej fjalëve: pa respekt për gjuhën, nuk ka barazi reale.
Marshimi po drejtohet drejt Ministrisë së Drejtësisë, institucion që sipas studentëve mban përgjegjësinë për këtë padrejtësi të zgjatur. Ata theksojnë se kjo nuk është vetëm një çështje provimi, por një betejë për identitetin dhe për të drejtën për të qenë të barabartë në vendin ku jetojnë dhe studiojnë.
Studentët nga Universiteti i Evropës Juglindore, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti “Nënë Tereza” kanë bashkuar zërin në një reagim të përbashkët, duke e cilësuar detyrimin për të dhënë provimin në maqedonisht si një formë të pastër diskriminimi dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj gjuhës shqipe.
Një nga organizatorët, studenti Ylli Rustemi, u shpreh se kjo padrejtësi ka zvarritur për gati dy dekada zhvillimin akademik të studentëve shqiptarë. “Ne studiojmë në shqip, jetojmë në shqip dhe identifikohemi me gjuhën tonë. Të na detyrosh të japim një provim kyç në një gjuhë tjetër është jo vetëm pengesë, por mohim i identitetit tonë,” deklaroi ai.
Para protestës, studentët i janë drejtuar me një kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, të mbështetur nga 385 nënshkrime të mbledhura në kohë rekord, duke dëshmuar një unitet të rrallë mes tyre.
Të vendosur dhe të qartë në kërkesat e tyre, ata paralajmërojnë se kjo është vetëm faza e parë e reagimit. Nëse institucionet vijojnë të heshtin, protesta mund të përshkallëzohet, deri në bojkot të provimeve dhe veprime të tjera më të forta.