Punimet për instalimin e sistemit të pagesës janë drejt përfundimit, ndërsa gjatë ditës së sotme janë kryer testimet finale për të siguruar funksionimin e plotë të tij. Kamerat e sigurisë, sistemet elektronike të kontrollit dhe e gjithë infrastruktura mbështetëse po kalojnë në verifikimet e fundit, në mënyrë që procesi i tarifimit të nisë pa probleme.
Sipas skemës së parashikuar, tarifat do të variojnë nga 100 lekë për motoçikletat deri në 5000 lekë për mjetet e tonazhit të rëndë. Për makinat, pagesa do të jetë 250 lekë për një kalim, ose 500 lekë vajtje-ardhje. Ndërkohë, 500 lekë do të paguajnë mjetet me karroceri, ndërsa për furgonët dhe autobusët tarifa do të arrijë në 1000 lekë.
Vendosja e këtyre tarifave pritet të shoqërohet me reagime nga qytetarët dhe udhëtarët, të cilët deri më tani e kanë udhëtuar pa pagesë. Mbetet ende e paqartë nëse do të aplikohen lehtësi apo tarifa të reduktuara për banorët rezidentë të zonës.
Tuneli i Llogarasë konsiderohet një investim i rëndësishëm për përmirësimin e qarkullimit drejt jugut të vendit, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit por brenda pak muajsh nga ndërtimi ka shfaqur defekte serioze në infrastrukturë.